Një ndër aktivitetet në kuadër projektit 'Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve Qarku Berat' ka qenë ngritja e kapaciteteve dhe trajnimi i stafeve të bashkive të Qarkut Berat lidhur me strukturën buxhetore dhe tarifore për mbulimin e kostos.
Trajnimet janë fokusuar në analizën e buxhetit dhe paketën fiskale ekzistuese duke i nxitur që të udhëhiqen drejt parimeve 'Ndotësi paguan' dhe 'Tarifa mbulon koston e menaxhimit të integruar të mbetjeve'.
Është shumë e rëndësishme që kostoja e shërbimit të jetë analizuar me kujdes dhe duke marrë në konsideratë popullsinë që i shërbehet.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm në analizën e kostos është dhe studimi i teknologjisë që përdoret për menaxhimin e integruar të mbetjeve, zona që mbulohet me shërbim (zona urbane e rurale), frekuenca e shërbimit si dhe itenerari. Për të mbuluar koston me tarifën vlerësohet potenciali që kanë bashkitë nëpërmjet tarifimit të familjeve, institucioneve, bizneseve në përgjithësi apo bizneseve të veçanta.
Stafet e Bashkive gjithashtu janë asistuar nëpërmjet informacionit të detajuar të krahasueshmërisë së të ardhurave nga tarifat e realizuara nga çdo njësi vendore sipas zonave urbane dhe ruale, me potencialin e llogaritur. Kjo ndihmon në ndërtimin e politikave afatmesme për mbulimin e kostos aktuale dhe kostos shtesë të trajtimit të mbetjeve nga çdo klient.