Çfarë nismash mund të bëhen pjesë e konkursit
• Fushata pastrimi për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm:
Fushatat e pastrimit kanë një përfitim shumë të madh për mjedisin vendor. Depozitimet e pakontrolluara të mbetjeve në Qarkun e Beratit ndotin tokën, ujin dhe rrezikojnë florën, faunën dhe shëndetin e njeriut. Mbetjet e hedhura në lumenj dhe përrenj jo vetëm që shkaktojnë ndotje në Qarkun e Beratit, por kanë një ndikim negativ në të gjithë vendin dhe më gjerë. Prandaj fushatat eleminojnë rrezikun e drejtpërdrejtë që ndodh nga mbetjet dhe gjithashtu mund të rritin ndërgjegjësimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe komunitetit lokal, të cilët përfitojnë nga një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm. Për më tepër, një rajon pa mbetje promovon turizmin dhe mirëqenien e përgjithshme në përputhje me qëllimin kryesor:
Së bashku për një Qark pa mbetje: Zero mbetje në lumin Osum
• Fushata ndërgjegjësuese:
Rritja e ndërgjegjësimit ndaj zakoneve negative në trajtimin e mbetjeve mund të arrihet nëpërmjet organizimit të aktiviteteve sensibilizuese. Një shembull është përqendrimi tek grupi më i ri i popullatës, fëmijët dhe të rinjtë. Aktivitetet edukative në kopshte dhe shkolla u japin fëmijëve jo vetëm një praktikë, por edhe një qasje të hershme mbi çështjen e mbetjeve dhe menaxhimin e tyre. Fëmijët dhe të rinjtë që do të përfitojnë nga këto aktivitete edukative do ta shumëfishojnë këtë mësim tek familjet dhe të afërmit e tyre dhe kështu, mund të arrihet ndërgjegjësimi mjedisor i një grupi të gjerë njerëzish:
Krijojmë mendjet e gjelbra të së nesërmes
Fushatat e ndërgjegjësimit në përgjithësi nuk duhet të përqendrohen vetëm në shkolla dhe kopshte, por edhe aktivitete të cilat përfshijnë shumë grupe të ndryshme publike që rritin ndjeshmërinë dhe ndërgjegjësimin rreth problemit me moton e mundshme:
Berati mendon gjelbër
• Riciklimi dhe ripërdorimi:
Ndarja e mbetjeve në burim është një çështje e rëndësishme për riciklimin e duhur të mbetjeve. Materialet e riciklueshme të ndara në mënyrën e duhur mund të riciklohen shumë më lehtë për shkak të pastërtisë. Për të mbyllur ciklin kërkohen skema dhe teknologji të përshtatshme. Institucionet që ofrojnë një mjedis të mbyllur siç janë shkollat, por edhe zyrat ose institucionet e tjera janë të përshtatshme për krijimin e kushteve për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme. Nevojitet të sigurohet riciklimi dhe depozitimi i duhur i mbetjeve. Fushatat e ndërgjegjësimit mbështesin rezultatet e parashikuara të këtij aktiviteti. Një moto e mundshme mund të jetë:
Reduktojmë – Ripërdorim – Riciklojmë në punë/shkollë
• Idea juaj:
Përveç ideve të përmendura më lart, mund të realizohen aktivitete dhe fushata të tjera. Jeni të mirëpritur të shpalosni krijimtarinë dhe angazhimin tuaj në mënyra unike, por ka disa aspekte që duhet të merren në konsideratë dhe të trajtohen nga nisma juaj:
Nisma duhet të ketë lidhje me mbetjet apo problemet që lidhen me to
Veprimtaritë të jenë të dukshme dhe të komunikojnë me një audiencë të gjerë
Nisma duhet të përmirësojë drejtpërdrejt ose tërthorazi situatën mjedisore (p.sh. mjedis i pastër, reduktim i mbetjeve, rritje e ndërgjegjësimit)