Në kuadër të projektit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta në Qarkun e Beratit, FLAG ka kryer një analizë për statusin e implementimit të Planeve Vendore të Menaxhimit të Mbetjeve për Bashkitë Berat, Dimalit, Kuçovë dhe Skrapar.
Qëllimi i raportit është të japë informacion mbi ecurinë dhe rezultatet e zbatimit të Planeve Vendore të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, afro tre vjet nga miratimi i tyre me Vendimin e Këshillave Bashkiak përkatës.
Raporti paraqet rezultatet e vlerësimit të zbatimit të planit të kryer nga FLAG në bashkëpunim me stafin bashkiak të Bashkive gjatë muajve mars dhe prill 2022. Vlerësimi është kryer në bazë të informacionit të dhënë nga stafi dhe në intervistat me grupet e punës të administratës bashkiake, të plotësuar me rezultatet e një sondazhi të kryer me qytetarët në qershor dhe korrik 2022 për të fituar një përshtypje mbi pikëpamjet e tyre mbi statusin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve në bashki.
Vlerësimi i zbatimit të Planit Vendor të Menaxhimit të Mbetjeve përpiqet t'i përgjigjet pyetjes nëse masat janë zbatuar në përputhje me planin dhe nëse rezultatet e arritura janë ato të planifikuara.
Vlerësimi i zbatimit të planit bazohet në dy pyetje kryesore: i) nëse bashkitë po i zbatojnë projektet tona në përputhje me planin, dhe ii) nëse rezultatet e arritura janë rezultatet e planifikuara. Përgjigjet e këtyre dy pyetjeve na çojnë drejt vendimeve që duhet të marrim për të përmirësuar zbatimin dhe për të arritur qëllimet e planifikuara
Vlerësimi i Planit fillon nga vlerësimi i statusit të zbatimit të projekteve të Planit i ndjekur nga vlerësimi i rezultateve të arritura për sa i përket objektivave dhe qëllimeve të planifikuara. Vlerësimi i statusit të zbatimit të projekteve bëhet në bazë të llogaritjes së numrit të projekteve të realizuara, numrit në proces të zbatimit dhe numrit të pazbatuar (ose ende në fillim).
Krahas analizës së statusit të zbatimit, vlerësimi analizon edhe ecurinë e zbatimit nga këndvështrimi i fondeve të shfrytëzuara. Përqindja e mjeteve të përdorura për realizimin e projekteve në krahasim me kostot totale të planifikuara për realizimin e atyre projekteve është një tjetër tregues i nivelit të progresit të arritur në zbatim. Por për një analizë të tillë duhet të kemi kujdes pasi është mjaft tipike që kostot e planifikuara të jenë të ndryshme nga kostot aktuale.
Analiza e statusit të zbatimit dhe fondeve të përdorura na tregon se ku jemi në zbatimin e Planit, por nuk tregon nëse jemi apo jo më afër qëllimeve tona. Ka shumë shembuj të ndërhyrjeve dhe fondeve të shpenzuara që nuk kanë arritur qëllimet e planifikuara. Për shkak të kësaj, një pjesë tjetër e vlerësimit të zbatimit të Planit është vlerësimi i rezultateve të arritura në krahasim me qëllimet dhe objektivat e planifikuara.
Ky vlerësim është më i vështiri sepse qëllimet dhe objektivat janë të vështira për t'u matur dhe shumë shpesh varen jo vetëm nga ndërhyrjet tona, por edhe nga shumë faktorë të tjerë që nuk kontrollohen nga ne.
Përfundimet e raporteve u prezantuan përpara Ekipit të Kompetencave si dhe në Këshillat Bashkiak të seciles nga bashkitë
Pavarësisht nga pengesat, vlerësimi i rezultateve të zbatimit të planit është vendimtar për ta bërë atë të suksesshëm dhe ndihmon stafet e bashkive për të kuptuar dhe materializuar punën që kanë kryer deri në këtë moment.
Grafiku më poshtë ilustron rezultatet:
Ndërsa tek ky ilustrim kemi një përmbledhje tëvlerësimit të matricës së PVMM (qëllimet, objektivat dhe projektet)